Transferimi i studimeve në Albanian University
Albanian University ofron mundësinë e transferimit të studimeve për studentët që dëshirojnë të vijojnë studimet në një nga programet e ofruara nga institucioni, në përputhje me legjislacionin në fuqi, Udhëzimin nr. 12, datë 30.06.2023, si dhe rregulloret e institucionit.
Në rastet e transferimit të studimeve nga brenda ose jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit, kandidatët duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave për vitin akademik në të cilin studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë.
Aplikimi për transferim mund të kryhet nga një program studimi i licencuar dhe i akredituar, i njëjtë ose i ngjashëm, i të njëjtit cikël studimi, i ndjekur nga kandidati në një institucion të arsimit të lartë (IAL) vendas ose të huaj. Në këtë kuadër, nuk mund të kryhen transferime studimesh ndërmjet programeve dyvjeçare me karakter profesional, programeve të ciklit të parë dhe programeve të integruara të ciklit të dytë të studimeve.
Nuk mund të pranohen aplikime për transferimin e studimeve gjatë vitit akademik.
Kandidatët që aplikojnë për transferimin e studimeve duhet të plotësojnë kriteret e përcaktuara nga institucioni i arsimit të lartë për programin e studimit për të cilin aplikojnë.
Kandidati nuk duhet të jetë duke ndjekur një program tjetër studimi.
Aplikimi kryhet brenda afateve të përcaktuara në Urdhrin nr. 108, datë 15.06.2026, për miratimin e kalendarit të procedurave të aplikimit dhe regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2026–2027.
Procedura e transferimit në Albanian University
- Aplikanti kryen aplikimin online ose paraqitet pranë Zyrës së Regjistrimeve dhe Transferimeve.
- Komisioni i ngritur nga departamenti përkatës vlerëson dosjen e aplikantit dhe kryen procesin e ekuivalentimit të krediteve.
- Aplikanti njihet me vendimin e Komisionit për ekuivalentimin dhe njohjen e krediteve.
- Aplikanti dorëzon dokumentacionin e plotë për të finalizuar transferimin e studimeve në Albanian University.
Dokumentacioni i nevojshëm për transferimin e studimeve
Kjo procedurë zbatohet për studentët që janë duke ndjekur studimet në një institucion të arsimit të lartë dhe dëshirojnë të transferohen në një program të njëjtë ose të ngjashëm në Albanian University.
- Formulari i aplikimit, i cili plotësohet pranë Zyrës së Transferimeve.
- Lista e notave dhe krediteve të fituara deri në momentin e aplikimit, e lëshuar nga universiteti i mëparshëm për efekt ekuivalentimi.
- Plani i plotë i programit të studimit dhe syllabuset (programet e detajuara të lëndëve), të vulosura nga universiteti nga i cili studenti transferohet. Studentët që transferojnë studimet nga një institucion i huaj i arsimit të lartë duhet të dorëzojnë planin e plotë të programit të studimit, syllabuset përkatëse dhe listën e notave dhe krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të njësuara me origjinalin.
- Fotokopje e noterizuar e Diplomës së Maturës Shtetërore, së bashku me certifikatën e notave, ose dëftesa e pjekurisë për kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara vitit 2011.
- Fotokopje e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë).
- Fotografi personale, zakonisht 2 copë, në formatin 3x4.
- Vërtetim çregjistrimi, i cili dorëzohet vetëm pasi kandidati shpallet fitues dhe kryen regjistrimin përfundimtar në universitet.
