Kriteret e pranimit për programet Bachelor, programet e integruara të ciklit të dytë të studimeve (PIND) dhe programet profesionale
Çdo shtetas shqiptar që ka përfunduar shkollën e mesme dhe ka shlyer detyrimet e Maturës Shtetërore, ose ka përfunduar një cikël të njehsuar me të, ka të drejtë të aplikojë për një nga programet e studimit të ofruara nga Albanian University (AU).
Të gjithë kandidatët që dëshirojnë të ndjekin një program Bachelor ose një program të integruar të ciklit të dytë pranë Albanian University duhet të plotësojnë kriterin e notës mesatare të përcaktuar me VKM nr. 436, datë 26.05.2020. Sipas këtij vendimi, kandidatët duhet të kenë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë dhe të kenë një notë mesatare minimale 6.5 (gjashtë pikë pesë).
Përjashtim nga ky kriter bëjnë kategoritë e mëposhtme:
- Programet e studimit të gjuhëve të huaja, të përcaktuara në shtojcën nr. 1 të këtij vendimi, për të cilat kandidatët duhet të kenë notë mesatare minimale 7.
- Programet e studimit të ciklit të parë Bachelor, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë Master në fushën e mësuesisë, të përcaktuara në shtojcën nr. 2 të këtij vendimi, për të cilat kandidatët duhet të kenë notë mesatare minimale 7.5.
- Programi dyvjeçar me karakter profesional “Laborant i Lartë Dentar”, si dhe programet e studimit në fushën e artit dhe dizajnit, për të cilat kandidatët përjashtohen nga detyrimi për plotësimin e kriterit të notës mesatare.
Për programet e integruara të ciklit të dytë të studimit në Stomatologji, Farmaci dhe Drejtësi, si dhe për programet e ofruara në gjuhën angleze, studenti duhet të ketë gjuhën e huaj të mbrojtur, në përputhje me udhëzimin nr. 52, datë 03.12.2015.
Procedurat e regjistrimit
1. Plotësimi i formularëve A1/A1Z
Hapi i parë për përzgjedhjen e programeve të studimit është plotësimi i formularit përkatës A1 ose A1Z. Formulari plotësohet fillimisht online në portalin E-Albania dhe më pas finalizohet në shkollën e mesme.
- A1: Plotësohet nga maturantët që do të aplikojnë për studimet e larta në vitin akademik përkatës.
- A1Z: Plotësohet nga kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe Maturën Shtetërore në një vit të mëparshëm.
2. Aplikimi në portalin U-Albania
Pas plotësimit të formularit A1/A1Z, kandidatët vijojnë me aplikimin për programet e studimit përmes portalit U-Albania, duke përzgjedhur Albanian University si një nga 10 preferencat e tyre.
Universiteti shpall listën përfundimtare të fituesve për çdo program studimi, brenda afateve të përcaktuara në urdhrin e përbashkët të miratuar nga Ministria e Arsimit.
3. Regjistrimi përfundimtar
Kandidatët kryejnë regjistrimin përfundimtar në programin e studimit ku janë shpallur fitues, duke dorëzuar personalisht ose nëpërmjet një personi të autorizuar dokumentet e regjistrimit.
Nëse kandidati nuk paraqitet personalisht, personi i autorizuar duhet të jetë i pajisur me prokurë të posaçme, e cila i jep të drejtën të kryejë, në emër të kandidatit, të gjitha procedurat e nevojshme për përfundimin e regjistrimit.
Dokumentacioni i nevojshëm për regjistrim
Për regjistrimin në programet e ciklit të parë të studimeve Bachelor, programet e integruara të ciklit të dytë dhe programet me karakter profesional, kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentet e mëposhtme:
- Fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore ose të dëftesës së pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave. Nëse diploma është lëshuar nga një institucion i huaj, ajo duhet të shoqërohet me vërtetimin e njohjes dhe njësimit nga QSHA-ja.
- Fotokopje të dokumentit të identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë).
- Dy fotografi personale.
Kalendari i aplikimit
Për të konsultuar afatet e aplikimit për vitin akademik përkatës, klikoni në lidhjen e mëposhtme:
