Programet e ciklit të dytë të studimeve: Master Profesional dhe Master i Shkencave
Albanian University ofron programe të ciklit të dytë të studimeve, Master Profesional dhe Master i Shkencave, për kandidatët që dëshirojnë të vijojnë formimin e tyre akademik dhe profesional.
1. Kriteret e pranimit
Mund të aplikojnë kandidatët që plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Kanë përfunduar me sukses një program studimi të ciklit të parë (Bachelor) dhe janë pajisur me diplomën përkatëse nga një institucion i arsimit të lartë i licencuar dhe i akredituar.
- Kanë përfunduar studimet e ciklit të parë jashtë vendit, në një institucion të arsimit të lartë të akredituar. Në këtë rast, kandidati duhet të kryejë procedurën e njohjes dhe njësimit të diplomës pranë Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA), sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi.
2. Dokumentacioni i nevojshëm për pranim
Për aplikimin në programet Master Profesional dhe Master i Shkencave, kandidatët duhet të dorëzojnë dokumentacionin e mëposhtëm:
- Fotokopje të noterizuar të diplomës së ciklit të parë, së bashku me listën e notave. Nëse diploma është lëshuar nga një institucion i huaj, duhet të shoqërohet me vërtetimin e njohjes dhe njësimit nga QSHA-ja.
- Fotokopje të noterizuar të diplomës së Maturës Shtetërore ose të dëftesës së pjekurisë, së bashku me certifikatën e notave. Nëse dokumentacioni është lëshuar nga një institucion i huaj, duhet të shoqërohet me vërtetimin e njohjes dhe njësimit nga QSHA-ja.
- Vërtetim për njohjen e gjuhës së huaj, vetëm për programet Master i Shkencave.
- Formulari i aplikimit.
- Deklaratë sipas formatit të përcaktuar nga institucioni.
- Fotokopje e dokumentit të identifikimit.
- Dy fotografi personale.
- Mandati i pagesës së studimit.
Aplikimi kryhet brenda afateve të përcaktuara në Urdhrin nr. 108, datë 15.06.2026, për miratimin e kalendarit të procedurave të aplikimit dhe regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë për vitin akademik 2026–2027.
Udhëzimi për njohjen e gjuhëve të huaja
Për përcaktimin e niveleve të gjuhëve të huaja dhe të testeve ndërkombëtare për pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë dhe të tretë në institucionet e arsimit të lartë, mund të konsultoni udhëzimin nr. 52, datë 03.12.2015, dhe ndryshimet përkatëse.
Kliko këtu për të lexuar udhëzimin nr. 52 dhe ndryshimet e tij (PDF)
