Organet dhe Autoritetet Drejtuese në Albanian University
Albanian University (AU), si institucion jopublik i arsimit të lartë, organizohet dhe e ushtron veprimtarinë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, legjislacionin në fuqi për arsimin e lartë, Statutin dhe Rregulloren e Përgjithshme, si dhe me rregulloret dhe aktet e tjera të dala në zbatim të tyre.
Statuti është akti bazë i AU-së, i cili projekton dhe rregullon në mënyrë të hollësishme organizimin, funksionimin dhe veprimtarinë e tij. Statuti përcakton strukturën e brendshme akademike dhe administrative në Albanian University dhe vendos marrëdhëniet midis tyre. Rregulloret dhe aktet e tjera të brendshme nxirren në bazë dhe për zbatim të Statutit nga organet dhe autoritetet kompetente.
Strukturat e brendshme akademike dhe administrative në Albanian University organizohen të ndara për nga varësia hierarkike dhe institucionale, në përputhje edhe me organigramën e institucionit.
Strukturat akademike në nivel institucioni janë:
a) Senati Akademik;
b) Rektorati;
c) Rektori;
ç) Zëvendësrektorët;
d) Komisionet e Përhershme;
dh) Këshilli i Etikës.
Senati Akademik është organi më i lartë drejtues akademik, përgjegjës për përmbushjen e misionit dhe vizionit të AU-së. Veprimtaria dhe vendimmarrja e Senatit përqëndrohet në planifikimin, programimin, bashkërendimin, mbikëqyrjen dhe vlerësimin e proceseve të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Senati i AU-së përbëhet në mënyrë propocionale nga përfaqësues të personelit akademik dhe një përfaqësues studentor. Mbledhjet e Senatit kryesohen nga Rektori, në cilësinë e kryetarit për shkak të detyrës.
Rektorati funksionon si organ kolegjial me natyrë ekzekutive. Ai ushtron funksione planifikuese, raportuese, rekomanduese dhe mbikëqyrëse në lidhje me veprimtarinë e AU-së dhe brenda kompetencave të tij. Rektorati kryesohet nga Rektori dhe përbëhet nga Zëvendësrektorët, Administratori i Përgjithshëm dhe Dekanët. Pranë Rektoratit funksionojnë një sërë njësish dhe zyrash në mbështetje të proceseve.
Rektori është autoriteti më i lartë drejtues akademik, i cili përfaqëson ligjërisht universitetin për çështjet akademike dhe protokollare, si dhe garanton autonominë e tij. Rektori drejton dhe koordinon tё gjithё veprimtarinё akademike në Albanian University, si dhe krijon marrëdhënie autoriteti hierarkike me personelin akademik dhe ndihmësakademik. Nё bashkёpunim me Senatin dhe Bordin e Administrimit, Rektori orienton dhe ndёrton politikat dhe strategjitë e zhvillimit tё institucionit.
Rektori mbështetet në veprimtarinë drejtuese nga Zëvendësrektorët, të cilët kryejnë veprimtarinë sipas fushës së përgjegjësisë që mbulojnë. Në AU aktualisht ushtrojnë funksionin tre Zëvendësrektorë: Zëvendësrektor për Procesin Mësimor; Zëvendësrektor për Kërkimin Shkencor; dhe Zëvendësrektor për Politikat e Zhvillimit Institucional.
Komisionet e Përhershme janë organe kolegjiale akademike të AU-së që kryejnë funksione në fusha të përcaktuara, lidhur kryesisht me kualifikimin shkencor dhe promovimin akademik, garantimin e standardeve të cilësisë të institucionit dhe programeve të studimit, me mbarëvajtjen e veprimtarisë së tij dhe marrëdhëniet me studentët, në përputhje me misionin dhe politikat e institucionit. Komisionet e Përhershme krijohen nga Senati Akademik.
Këshilli i Etikës është organ kolegjial këshillimor i AU-së që promovon dhe shqyrton çështje që lidhen me etikën në veprimtarinë e proceseve akademike dhe atyre kërkimore-shkencore, si dhe në veprimtaritë e tjera institucionale sipas parashikimeve të Kodit të Etikës dhe legjislacionit në fuqi. Këshilli i Etikës është organi përgjegjës për dhënien e masave disiplinore të propozuara nga autoritetet drejtuese ndaj personelit akademik, administrativ dhe studentëve, në rast mospërmbushjeje të detyrimeve që burojnë nga ligji, Statuti, rregulloret dhe udhëzime të tjera, si brenda ashtu edhe jashtë institucionit.
Strukturat kryesore administrative në nivel institucioni janë:
a) Bordi i Administrimit;
b) Administrator i Përgjithshëm.
Bordi i Administrimit është organi më i lartë drejtues administrativ, i cili garanton përmbushjen e misionit të AU-së dhe ka kompetenca vendimmarrëse dhe mbikqyrëse mbi veprimtarinë ekonomiko-financiare dhe administrative të AU-së. Bordi përbëhet nga përfaqësues të personelit akademik të emëruar nga Senati, anëtarë të emëruar nga Asambleja e Përgjithshme e Shoqërisë Tregtare që administron AU-në, dhe nga Administratori i Shoqërisë Tregtare, i cili është njëherazi Kryetar i Bordit të Administrimit për shkak të detyrës. Personeli administrativ përgjigjet para Bordit për veprimtarinë e tij.
Administratori i Përgjithshëm i AU-së është autoriteti më i lartë drejtues administrativ, përgjegjës për mirëfunksionimin financiar dhe administrativ të institucionit. Administratori i Përgjithshëm është përfaqësuesi ligjor i institucionit për çështjet financiare dhe administrative. Administratori i Përgjithshëm është përgjegjës për drejtimin e përditshëm administrativ të universitetit, në bashkëpunim edhe me organet dhe autoritetet e tjera të AU-së.
Universiteti “Albanian University” aktualisht përbëhet nga tre fakultete: Fakulteti i Shkencave Mjekësore, Fakulteti i Shkencave Shoqërore dhe Fakulteti i Shkencave të Aplikuara dhe Ekonomike. Secili fakultet organizohet në bazë të tre departamenteve të fushës.
Fakulteti është njësi kryesore e universitetit që organizon dhe drejton mësimdhënien dhe kërkimin shkencor në fusha të përafërta ose të ndërthurura. Fakulteti ofron programe të studimeve të llojeve dhe niveleve të ndryshme në përfundim të të cilave përfitohet diplomë sipas ciklit përkatës. Fakulteti përbëhet nga organe dhe autoritete drejtuese, njësitë bazë mësimore-shkencore dhe nga administrata.
Departamenti përbën njësinë bazë përgjegjëse për zhvillimin e mësimdhënies dhe veprimtarisë kërkimore-shkencore në fakultetin përkatës. Në Departament grupohen disiplinat mësimore përkatëse dhe përfshihen fusha kërkimi të përafërta. Departamenti nxit, organizon, bashkërendon dhe administron veprimtaritë e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, në respektim të lirisë akademike të personelit dhe të drejtës për të shfrytëzuar burimet materiale dhe financiare në dispozicion të Departamentit. Departamenti përgjigjet për programet e studimit që ofron.
Strukturat kryesore akademike dhe administrative, përkatësisht, në nivel fakulteti janë:
a) Asambleja e Personelit Akademik;
b) Dekanati;
c) Dekani;
ç) Zëvendësdekani/ët;
d) Drejtuesit e Departamenteve;
dh) Administratorët e Fakulteteve.
Asambleja e Personelit Akademik është organ kolegjial akademik i përbërë nga anëtarët e personelit akademik me kohë të plotë të fakultetit përkatës. Asambleja e Personelit Akademik është forumi më i lartë i fakultetit. Mbledhjet e asamblesë thirren dhe kryesohen nga Dekani i Fakultetit. Asambleja e Personelit Akademik zgjedh anëtarët e Senatit Akademik dhe ka kompetenca propozuese dhe rekomanduese.
Dekanati funksionon si organ kolegjial me natyrë ekzekutive. Ai ushtron funksione planifikuese, rekomanduese dhe mbikëqyrëse në lidhje me veprimtarinë e fakultetit dhe brenda kompetencave të tij. Dekanati kryesohet nga Dekani dhe përbëhet nga Zëvendësdekani/ët, Administratori i Fakultetit dhe Drejtuesit e Departamenteve.
Dekani është autoriteti më i lartë drejtues akademik i fakultetit dhe përfaqësues i tij. Dekani koordinon, organizon, drejton, kontrollon dhe përgjigjet për ecurinë e procesit mësimor dhe kërkimit shkencor në njësinë që drejton. Dekani koordinon veprimtarinë e Departamenteve dhe organeve të Fakultetit, si dhe zgjidh mosmarrëveshjet e mundshme ndërmjet tyre.
Dekani mbështetet në veprimtarinë e tij nga një ose disa Zëvendësdekanë, në varësi të nevojave dhe kapaciteteve të fakultetit. Zëvendësdekani kryen detyra sipas fushës së përgjegjësisë që mbulon, të përcaktuar nga Dekani dhe nën autoritetin e tij.
Drejtuesi i Departamentit është autoriteti drejtues akademik i asaj njësie dhe përfaqësues i saj, i cili drejton, organizon, koordinon dhe përgjigjet për punën mësimore dhe kërkimore-shkencore të Departamentit te Dekani. Drejtuesi i Departamentit organizon dhe drejton punën për hartimin e planeve dhe programeve mësimore, si dhe teksteve mësimore, për të gjitha ciklet e studimeve që mbulon Departamenti, si dhe ndjek zbatimin e tyre.
Administratori i Fakultetit është autoriteti drejtues administrativ përgjegjës për mirëfunksionimin financiar dhe administrativ të fakultetit, i cili ka varësi të drejtpërdrejtë nga Administratori i Përgjithshëm. Administratori i Fakultetit realizon administrimin e përditshëm financiar të fakultetit, duke bashkëpunuar ngushtë me Zyrën e Financës.
Veprimtaria dhe proceset e punës në Albanian University mbështeten nga struktura ndihmëse në nivel institucioni, të organizuara si:
a) njësi ndihmësakademike pranë Rektoratit me varësi nga Rektori, ndër të cilat përmenden, Njësia e Sigurimit të Brendshëm të Cilësisë (NJSBC), Zyra e Zhvillimit të Kurrikulave dhe Zyra e Koordinimit të Kërkimit Shkencor dhe Botimeve Akademike;
b) njësi administrative me varësi nga Bordi i Administrimit dhe Administratori i Përgjithshëm, ndër të cilat përmenden, Zyra e Financës dhe Zyra e Burimeve Njerëzore;
c) njësi ndihmëse dhe të shërbimit me varësi nga Bordi i Administrimit dhe Administratori i Përgjithshëm, ndër të cilat përmenden, Sekretaria mësimore, bibliotekat dhe klinikat universitare, si dhe shtëpia botuese “Albanian University Press”.
